Secondary Adv

Nga nesër, rritet çmimi i biletës për dy linja urbani dhe abonetë në Kamëz

Dy linjat urbane të Kamzës do të kenë çmim të ri prej 50 lekësh për biletë dhe 1,400 lekë për abonenë mujore, duke nisur nga 1 nëntori.

Rritet çmimi i biletës

Qytetarët që përdorin linjat Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë do të përballen me rritje të çmimit të biletës nga 40 në 50 lekë, një shtesë prej 10 lekësh ose 25% më shumë se aktualisht.

 

Vendimi është miratuar nga Këshilli Bashkiak i Kamzës pas kërkesës së operatorit privat të licencuar që menaxhon këto dy linja dhe do të hyjë në fuqi më 1 nëntor. Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj, konfirmoi për “Monitor” se rritja ishte e domosdoshme për të përballuar koston e mirëmbajtjes dhe të karburantit, në mungesë të subvencioneve nga shteti.

 

Rritet edhe çmimi i abonesë mujore

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe rritjen e çmimit të abonesë mujore nga 1,200 në 1,400 lekë, që përfaqëson një rritje prej rreth 17%. Ndryshimi prek vetëm dy linjat Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë, ndërsa aboneja e përgjithshme mbetet e pandryshuar. Memaj sqaroi se në bashkinë e Kamzës funksionojnë rreth tetë linja urbane të menaxhuara nga operatorë privatë pa mbështetje financiare publike.

 

Tirana, e vetmja bashki që subvencionon transportin urban

Ndryshe nga Kamza, në Tiranë transporti urban subvencionohet nga Bashkia përmes mbulimit të një pjese të kostove të operatorëve privatë. Aktualisht, kryeqyteti ka 16 linja urbane që menaxhohen nga 12 operatorë të licencuar, të cilët marrin subvencione për abonetë e pensionistëve dhe studentëve si dhe për çdo biletë të shitur. Sipas Shoqatës së Transporteve, Tirana mbetet e vetmja bashki në vend që ofron subvencione, çka ka ndikuar në ruajtjen e çmimit të biletës në 40 lekë, pavarësisht kërkesave të përsëritura për rritje nga operatorët privatë.

 

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat